Termat dhe Kushtet e Pjesëmarrjes
Termat dhe Kushtet e Pjesëmarrjes të cekura këtu i referohen marrëdhënies midis kompanisë VALICON d.o.o., Kopitarjeva 2, Ljubljana, Slloveni, e cila është pronare e panelit online Opinia.Club, dhe pjesëmarrësit të panelit Opinia.Club.
1. DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
1.1. Emri i panelit
Emri i panelit online është Opinia.Club (në tekstin e mëtejmë Panel).
1.2. Menaxheri i panelit
Pronari, mbajtësi i të drejtave dhe menaxheri i panelit Opinia.club është kompania për konsulencën dhe hulumtimin e tregut VALICON d.o.o. (në tekstin e mëtejmë si Menaxher).
1.3. Vlefshmëria ligjore
Marrëdhënia midis një pjesëmarrësi dhe Menaxherit përcaktohet nga varianti aktual i vlefshëm i TERMAVE DHE KUSHTEVE TË PJESËMARRJES, i cili është gjithmonë i qasshëm në faqen e internetit https://opinia.club. Në rast të një ndryshimi në përmbajtjen e TERMAVE DHE KUSHTEVE TË PJESËMARRJES, Menaxheri do të njoftojë pjesëmarrësin për ndryshimet nëpërmjet njërës prej metodave në vijim: përmes një emaili ose një njoftimi në aplikacionin Opinia.Club. Nëse një pjesëmarrës, pas pranimit të njoftimit rreth ndryshimeve në termat dhe kushtet, nuk e ndërpret anëtarësimin brenda tridhjetë ditësh, konsiderohet se ai/ajo ka lexuar dhe ka rënë dakord me termat dhe kushtet e ndryshuara.
2. PJESËMARRJA NË PANEL
2.1. Si të bëheni pjesëmarrës
Pjesëmarrës në Panel (në tekstin e mëtejmë si Pjesëmarrës) mund të jetë çdo person fizik me vendbanim të përhershëm ose të përkohshëm në vendin ku ka aplikuar për anëtarësim, i cili është 15 vjeç e lart dhe ka rënë dakord me Termat dhe Kushtet e Pjesëmarrjes.
Pjesëmarrësi mund të regjistrohet si anëtar i klubit duke shkruar e-mailin ose numrin e celularit në faqen e internetit https://opinia.club në fushën “Bëhuni pjesë e klubit tonë”. Pjesëmarrja aktivizohet kur individi konfirmon marrjen e aplikacionit të dërguar me e-mail ose SMS. Konfirmimi i aplikimit duhet të përfundojë brenda 72 orëve nga marrja e mesazhit konfirmues nga Opinia.club. Duke pranuar këto terma dhe kushte, individi lidh një kontratë pjesëmarrjeje në Panel, duke rënë dakord me këto terma dhe kushte të përgjithshme.
2.2. Pjesëmarrja në Panel
Pjesëmarrja është vullnetare. Duke u anëtarësuar në Opinia.Club, Pjesëmarrësi pranon të marrë ftesa për të marrë pjesë në anketa dhe hulumtime të tjera (testimi i produktit, fokus grupe, intervista, etj.). Është e dëshirueshme që Pjesëmarrësi t'i përgjigjet shumicës së ftesave, megjithëse përgjigjja ndaj të gjitha ftesave nuk është e detyrueshme. Shuma e ftesave varet nga numri i projekteve.
Të gjithë pjesëmarrësit në Opinia.Club janë pjesë e projekteve individuale të hulumtimit të tregut që realizohen përmes anketave online, ku ne i lidhim të dhënat individuale të anonimizuara të pjesëmarrësve rreth shfletimit të uebfaqeve në internet me të dhënat e anketës ose të dhëna të tjera personale, si gjinia, mosha, etj. Përdorimi parësor i të dhënave mbi sjelljen në internet është në një nivel të përgjithshëm për zhvillimin e modeleve parashikuese që lejon të parashikohet nëse ai individ i përket grupit të synuar.
Si shpërblim për pjesëmarrjen në çdo anketë, Pjesëmarrësi do të marrë pikë që mund të shfrytëzohen për produktet dhe shërbimet në katalog.
Nëse ata nuk duan të jenë anëtarë të Opinia.Club, Pjesëmarrësi gjithmonë mund të çabonohet siç përshkruhet te Termat dhe Kushtet tek pjesa 2.10 Përfundimi i anëtarësimit në Panel.
2.3 Grumbullimi dhe shfrytëzimi i pikëve në Opinia.Club
Pjesëmarrësi mund të mbledhë pikë në mënyra të ndryshme: duke marrë pjesë në anketa, duke ftuar miqtë që t'i bashkohen panelit, duke marrë pjesë në anketa përmes thirrjes në telefon, duke marrë pjesë në hulumtime të tjera si fokus grupet, testimi i produktit, etj. Numri i pikëve që Pjesëmarrësi merr për plotësimin e çdo ankete tregohet në ftesën për anketë.
Pikët mund të shfrytëzohen për produkte dhe shërbimet brenda katalogut që publikohet nga Menaxheri. Kur të arrihet pragu prej 1000 pikësh, Pjesëmarrësi do të marrë njoftim për shfrytëzimin e tyre në adresën e tij të postës elektronike. Numri minimal i pikëve që mund të shfrytëzohen mund të jetë i ndryshëm midis shteteve.
Pikët e mbledhura nuk janë të transferueshme. Në rast se pikët janë caktuar ose fshirë gabimisht nga llogaria e Pjesëmarrësit, Menaxheri rezervon të drejtën t'i kthejë ose t'i fshijë ato.
2.4. Mbrojtja e të dhënave personale
Faqja e internetit dhe aplikacioni Opinia.Club mbledhin informacione mbi regjistrimin dhe informacione të tjera të njohura personalisht për Pjesëmarrësit e tij. Pas regjistrimit, Pjesëmarrësi shkruan vetëm adresën e postës elektronike në faqen e internetit dhe adresën e postës elektronike ose/dhe numrin e telefonit në aplikacion. Të dhëna të tjera personale bazë përfshijnë Emrin dhe Mbiemrin, Adresën dhe të dhëna personale shtesë të nevojshme për pagesën e shpërblimit (numri TATIMOR, numri personal, numri i llogarisë bankare, etj.). Të dhënat bazë përdoren për dërgimin e ftesave në pyetësorë, dërgimin e shpërblimeve, përmbushjen e detyrimeve tatimore, sigurimin rutinë të cilësisë dhe parandalimin e mashtrimit (p.sh. zbulimin e regjistrimeve të shumta të të njëjtit përdorues, i cili përdor identitete të shumta (të rreme)).
Pas regjistrimit, të gjithë Pjesëmarrësit ndajnë të dhënat e tyre socio-demografike në anketën hyrëse (viti i lindjes, gjinia, të ardhurat, madhësia e familjes, numri i fëmijëve, statusi martesor, informacione rreth zakoneve dhe preferencave të përdoruesve, në lidhje me të gjitha llojet e mediave, por pa u kufizuar në mallrat e konsumit, mallrat bazë, udhëtimet dhe aktivitetet e kohës së lirë, si dhe për pronësinë e tyre dhe përdorimin e pajisjeve të lidhura me internet dhe informacionin rreth marrëdhënieve dhe qëndrimeve, origjinës së mundshme të emigrantëve dhe statusit shëndetësor për grupe specifike të synuara dhe për të siguruar cilësinë dhe konsistencën e përgjigjeve dhe për të parandaluar mashtrimin.
Përgjigjet që japin Pjesëmarrësit në anketa online përpunohen në një formë të pseudonimizuar që do të thotë se janë të ndara nga të dhënat personale bazë. Klientët, të cilët kanë autorizuar Menaxherin për të zbatuar projekte të hulumtimit të tregut marrin një formular anonime, që do të thotë një formular që nuk lejon klientin ose marrësin tjetër të njohë identitetin tuaj bazuar në këto të dhëna.
Të dhënat personale ruhen dhe përpunohen deri në 5 vjet pas mbylljes së llogarisë së përdoruesit, me përjashtim të të dhënave për shpërblimet e marra, të cilat duhet të ruhen për 10 vjet në përputhje me legjislacionin tatimor.
Përpunimi i vëmendshëm, i ligjshëm dhe mbrojtja e informacionit personal është një prioritet i Menaxherit. Menaxheri përdor të gjitha mjetet dhe metodat e disponueshme për të siguruar një mbrojtje efektive të të dhënave personale.
Pjesëmarrësi mund të kërkojë informacionin që Menaxheri po përdor, drejtpërdrejt nga Menaxheri. Pjesëmarrësi mund të plotësoj llogarinë e tij të përdoruesit me informacionin e tij/saj të ri, të përditësuar ose të ndryshuar. Pjesëmarrësi ka qasje në informacionin e tij/saj nëpërmjet aplikacionit Opinia.Club, ose profilin e tij/saj të përdoruesit të disponueshëm për shtetin e Kosovës ( https://opinia.club/xk-sqi) dhe Maqedonisë së Veriut (https://opinia.club/mk-sqi ).
Pjesëmarrësit kanë disa të drejta në lidhje me të dhënat e tyre personale: kërkoni qasje në të dhënat tuaja personale dhe informacion në lidhje me përdorimin dhe përpunimin tonë të të dhënave tuaja personale, të drejtën e korrigjimit dhe fshirjes së të dhënave tuaja personale, të drejtën e kufizimit të përpunimit, të drejtën e transportueshmërisë së të dhënave tuaja personale në një format të strukturuar dhe të lexueshëm nga makinat dhe të drejtën për t'i transferuar këto të dhëna personale te një kontrollues tjetër i të dhënave, të drejtën për të kundërshtuar përpunimin e të dhënave tuaja personale për qëllime të caktuara.
Për çdo informacion të mëtejshëm në lidhje me mbledhjen dhe mbrojtjen e të dhënave, të drejtat e privatësisë së Pjesëmarrësve, përdorimin dhe zbulimin e të dhënave në fjalë, shihni politikën e privatësisë për Kosovë (Politika e Privatësisë) dhe/ose atë për Maqedoninë e Veriut (Politika e Privatësisë) Për çdo kërkesë shtesë, ju lutemi kontaktoni Menaxherin për Kosovë në emailin [email protected] dhe për Maqedoninë e Veriut në emailin [email protected] .
2.5. Profili i përdoruesit
Në kuadër të profilit të përdoruesit ne mbledhim të dhëna sociodemografike, me të cilat kryejmë përzgjedhjen për ftesa për një anketë të caktuar. Pjesëmarrësi duhet të përditësojë rregullisht informacionin e profilit të përdoruesit. Të gjithë Pjesëmarrësit mund të hyjnë në profilet e tyre të përdoruesve përmes linkut të Profilit Personal, i cili është i disponueshëm në aplikacion, ose përmes profilit të përdoruesit në faqen e internetit Opinia.Club.
2.6. Kodi i Sjelljes
Pjesëmarrësit e Opinia.Club do të:
- japin përgjigje të vërteta, të kuptueshme dhe relevante në të gjitha llojet e anketave në të cilat ata marrin pjesë;
- sigurohen që të gjitha informacionet të jenë të sakta dhe të përditësuara;
- të regjistrohen në Panel vetëm me një llogari përdoruesi (nëse një tjetër është hapur gabimisht, ata mund të kontaktojnë Menaxherin e specifikuar në fund të këtij dokumenti dhe të kërkojnë të mbajnë një llogari dhe të fshijnë tjetrën (së bashku me të gjitha pikat)) ;
- marrin pjesë rregullisht në pyetësorë, lexojnë udhëzimet dhe japin përgjigje të vërteta dhe të sakta, të ofrojnë përgjigje të sakta në pyetjet e hapura;
- mos përpiqen të përdorin ndonjë shërbim ose zonë të faqes së internetit ose aplikacionit Opinia.Club për të cilat ata nuk janë të autorizuar;
- mos postojnë asnjë përmbajtje që është kërcënuese, shpifëse dhe e turpshme, ose që mund të shkelë ligjin në çfarëdo mënyre;
- jenë të respektueshëm ndaj Pjesëmarrësve të tjerë dhe stafit me të cilin vijnë në kontakt;
- mos u zbulojnë palëve të treta përmbajtjen e pyetësorëve dhe materialeve të tjera.
Çdo shkelje e pikëve të cekura më sipër nënkupton pezullim të menjëhershëm të anëtarësimit dhe fshirje të çdo pike. Menaxheri rezervon të drejtën të kufizojë ose të ndalojë përdorimin ose qasjen dhe/ose pjesëmarrjen në pyetësorë, nëse Menaxheri zbulon ose dyshon se Pjesëmarrësi ka dhënë informacion të rremë, të pasaktë, të vjetërsuar ose të paplotë.
2.7. Pjesëmarrës i papërgjegjshëm
Pjesëmarrësi konsiderohet i papërgjegjshëm nëse:
- mundëson qasjen e llogarisë së tyre të përdoruesit tek personat e tretë, ose ftojnë (rekrutojnë) persona me e-mail të rremë
- keqpërdor anëtarësimin e tij/saj në Panel, ose e përdorin atë për qëllime të papërshtatshme, për shembull për të pretenduar se janë dikush tjetër për të mbledhur pikë
- jep përgjigje të rreme, të pakuptimta dhe të parëndësishme në pyetësorë, nuk e informon rregullisht menaxherin për ndryshimet në informacionin e profilit të tyre të përdoruesit
- u zbulon palëve të treta përmbajtjen e pyetësorëve (nëse zbulojnë ose postojnë publikisht përmbajtjen e një pyetësori ose materiale të tjera)
Menaxheri rezervon të drejtën të fshijë profilin e përdoruesit të një Pjesëmarrësi të papërgjegjshëm së bashku me të gjitha pikët e fituara.
2.8. Pjesëmarrës joaktiv
Çdo Pjesëmarrës do të marrë disa ftesa për pyetësorë të caktuar brenda një viti. Në rast se Pjesëmarrësi nuk i përgjigjet më shumë se 90% të ftesave, ata konsiderohen joaktiv.
2.9. Fshirja nga paneli
Menaxheri mund të fshijë Pjesëmarrësin nga databaza e përdoruesve dhe gjithashtu pikët e tij/saj:
- në rast të shkeljes së dispozitave të nenit 2.6
- nëse Pjesëmarrësi është i papërgjegjshëm (shih nenin 2.7)
- nëse Pjesëmarrësi është joaktiv (shih Nenin 2.8)
- nëse Pjesëmarrësi nuk është i disponueshëm ose emaili i dhënë nuk është më i vlefshëm
- nëse Pjesëmarrësi përdor disa llogari përdoruesish në Panel
- nëse Pjesëmarrësi tregon mungesë respekti ndaj Pjesëmarrësve të tjerë të panelit ose menaxherit
Pas fshirjes së profilit të përdoruesit, Menaxheri do t'i bëjë anonime të gjitha të dhënat e mbledhura, përveç të dhënave për pagesat e shpërblimeve, të cilat Menaxheri duhet t'i arkivojë në mënyrë që të respektojë ligjet ekzistuese tatimore.
2.10. Përfundimi i anëtarësimit në Panel
Në rast se Pjesëmarrësi nuk dëshiron të marrë pjesë në anketa, ata gjithmonë mund të ndërpresin anëtarësimin e tyre (përmes linkut të disponueshëm në Opinia.Club, në profilin personal, te ftesat për anketa, ose nëpërmjet një e-mail të listuar në fundi të këtij dokumenti).
Pjesëmarrësi është i vetëdijshëm dhe pranon që, pasi llogaria të çaktivizohet, ata nuk do të kenë qasje në programin e pikëve Opinia.Club. Të gjitha pikët e grumbulluara në llogari, të cilat nuk janë shlyer para çaktivizimit, pavarësisht se kur dhe për çfarë janë grumbulluar, do të fshihen.
Pas çaktivizimit të profilit të përdoruesit, Menaxheri do t'i bëjë anonime të gjitha të dhënat e mbledhura, përveç të dhënave për pagesat e shpërblimeve, të cilat Menaxheri duhet t'i arkivojë në mënyrë që të respektojë ligjet ekzistuese tatimore.
3. PJESËMARRJA NË ANKETA
3.1. Ftesë për një anketë
Çdo Pjesëmarrës do të ftohet të marrë pjesë përmes një e-mail ose një njoftimi përmes aplikacionit.
Lloji dhe numri i ftesave, të marra nga Pjesëmarrësi, do të varet nga informacioni i përdoruesit dhe numri i anketave aktualisht aktive.
3.2. Llojet e tjera të anketave
Çdo Pjesëmarrës mund të marrë pjesë në lloje të tjera anketash jashtë fushëveprimit të Panelit, si pyetësorë përmes thirrjes telefonike, fokus grupe, intervista të thelluara, testim i produktit, etj. Pjesëmarrja në hulumtime të tjera është vullnetare dhe nuk ka ndikim në anëtarësimin në Panel.
3.3. Konfidencialiteti i të dhënave
Pjesëmarrësi pajtohet që të gjitha informacionet në lidhje me hulumtimin, projektet, themeluesit e hulumtimit, pyetësorët ose aktivitetet e tjera hulumtuese të Menaxherit, të cilat ata do t’i marrin gjatë hulumtimit, do të mbahen konfidenciale dhe nuk do t'u zbulohen palëve të treta.
4. SISTEMI I SHPËRBIMIT PËR ANKETAT ONLINE
4.1. E drejta për shpërblim
Paneli online Opinia.Club ofron pikë për pjesëmarrje në anketa, si dhe për ftesën e miqve për t'u bashkuar me Panelin online Opinia.Club. Anketat sjellin numër të ndryshëm pikësh, në varësi të kompleksitetit dhe kohës së tyre, të nevojshme për përfundimin e anketës.
Nëse Pjesëmarrësi nuk i plotëson kushtet e kërkuara të anketës, pyetësori do të përfundojë pas disa pyetjeve fillestare. Në raste të tilla, Pjesëmarrësi nuk do të marrë asnjë pikë nëse nuk specifikohet ndryshe në ftesë.
Pjesëmarrësi mund t’i shfrytëzoj pikët e tij kur të arrijnë një minimum prej 1000 pikësh. Metoda do të ofrohet përmes aplikacionit ose e-mail.
4.2. Detyrimet tatimore
Shpërblimi monetar paguhet në shumën bruto. Menaxheri dhe Pjesëmarrësi janë përgjegjës për pagesën e të gjitha detyrimeve tatimore dhe të tjera, dhe për raportimin e të ardhurave nga shpërblimet sipas rregulloreve tatimore të vlefshme.
Menaxheri, në bazë të ligjeve tatimore vendore, është i detyruar të raportojë të ardhurat që Pjesëmarrësi ka marrë nëpërmjet pikëve, të marra në anketa. Menaxheri do t'i sigurojë Pjesëmarrësit ose autoritetit tatimor përkatës informacion në lidhje me të gjitha pagesat që Pjesëmarrësi ka marrë duke marrë pjesë në anketa. Pjesëmarrësi është i detyruar t'i sigurojë Menaxherit të gjithë informacionin e kërkuar në mënyrë që të ndihmojë në plotësimin e të gjitha raporteve ose pagesave. Të gjitha të cekurat më lart janë ekskluzivisht përgjegjësi e Pjesëmarrësit, ndërsa Menaxheri nuk është i detyruar të japë udhëzime ose këshilla; ne i bëjmë thirrje Pjesëmarrësit të marrë informacion më relevant nga autoriteti tatimor vendor.
5. DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE
Pjesëmarrësi dhe Menaxheri do të zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet në lidhje me anëtarësimin në Panel në mënyrë miqësore.